Që Bujqësia të përparojë (1)

Që Bujqësia të përparojë (1)
2 Gazeta T&I Durrës Nr 24

Për bujqësinë si sektor prioritar i ekonomisë shqiptare dhe për rrugët e mundëshme të zhvillimit të saj është diskutuar dhe shkruar jo pak. Fakti që ky sektor jep afro 18% të PPB shqiptar ka shtyrë shumë specialistë dhe sigurisht politikanë të përfshihen me ide, vizione dhe argumentime mbi drejtimet kryesore të zhvillimit të ardhëm të bujqësisë sonë. Këtë radhë, kërkuam një vizion të problematikave kryesore dhe të rrugëzgjidhjve të tyre nga ata që i prekin përditë ato, pikërisht nga drejtues të organizatës “Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar”. Prandaj, në vijim po sjellim një parashtrim të zj. Enida Shena, Drejtore Ekzekutive e KASH, të konceptimit të kësaj organizate për zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë.

• Burimet natyrore, ekonomike dhe njerzore

Shqipëria ka gjithsej 2.8 milion ha tokë, nga e cila  699.021 ha është tokë bujqësore (24 % e totalit) qe mund të kultivohet, livadhet e kullotat zënë 16 %,  tokat (inproduktive, urbane, sip.ujore të brëndshme) zënë 15 %, pyjet zënë 36 %, ndërsa të tjera  9 %.
Ne Shqipëri, ne zonat rurale banojne 1.2 milion banorë. Pra, ka akoma forca të lira pune, që gjendet e vlerësohet në treg me kosto të ulët, me një pagë mesatare 300 euro në muaj, më e ulta nga vendet e rajonit.
Pamvarësisht diskutimit të termave “fshatar apo “fermer”, sot pranohet zyrtarisht se në vendin tonë ushtrojne aktivitetin e tyre ekonomik  352 mijë ferma. Nga këto, vetëm 33 000 jane te paisuar me nje dokument identifikimi (NIPT), dhe prandaj ata kanë mundësi  për të shitur prodhimet e tyre në treg normalisht, si biznese. Fermerët e tjerë, që nuk jane te paisur me NIPT, kanë tokë e blegtori në pronësi apo në përdorim. Këta krijojnë  një gamë të gjerë prodhimi me origjinë bimore e shtazore, me destinacion kryesisht për vetkonsum, për konsum nga blegtoria, dhe bazuar në sipërfaqen e tokës që kultivojnë dhe blegtorisë që mbarështojnë, u mbetet edhe një tepricë e vogël për ta shitur në tregun e lirë.Fermerët në Shqipëri kanë në pronësi dhe në përdorim një sipërfaqe toke te mundshme per t’u kultivuar rreth 696 mijë ha, me një mesatare rreth 2 ha/ferme. Por, në statistikat zyrtare raportohet se kultivohen mesatarisht rreth 418 mijë ha tokë, me një mesatare rreth 1,2 ha/fermë. Nga kjo sipërfaqe, mbi 50 %  mbillet me foragjerë për të ushqyer blegtorinë. Fermerët tanë kanë në pronësi 3.5 milion bagëti të imta dhe 985 mijë gjedhë.
Tregu per shitblerjen dhe dhënien e tokës bujqësore me qira, megjithë perpjekjet për shumë vite, po zhvillohet me ritme të ngadalta. Ndërsa ndarja e familjeve fermere në zonat rurale, që kanë përfituar tokë nga ligji 7501/1991 “Per ndarjen e tokes”, po zhvillohet si një proçes i pandalshëm. I cili po  ndikon negativisht dhe do të vazhdojë të ndikojë ne ndarjen e mëtejshme të tokës edhe në të ardhmen. Faktor që do të ndikojë në zvoglimin e metejshëm të madhësisë së fermave në Shqipëri, në rast se nuk nxitet dhe stimulohet proçesi i bashkimit.
Shqipëria ka patur para viteve 90 rreth 400 mijë ha tokë, qe ishin të mundshme per t’u ujitur. Mbasi ishin kryer mjaft investime dhe ekzistojnë burime ujore natyrale gjithëvjetore. Në Shqipëri ndodhen 247 liqene të llojeve dhe përmasave të ndryshme, me një sipërfaqe të përgjithshme ujore prej 1210 km2 dhe me vëllim të përgjithshëm të ujrave prej afro 60 miliardë m3, 5 liqene artificiale, 670 rezervuare për ujitje e mbi 200 burime nëntokësore, me prurje rreth 200 l/sek, secili. Gjatë një viti nga të gjithë lumenjtë tanë derdhen në det rreth 39 miliardë m3 ujë.  Burime ujore këto që mund të përdoren me eficencë edhe aktualisht, mbasi edhe në kohë thatësire kanë kapacitete të mjaftueshme për t’u përdorur për ujitje.
Raportohet se në Shqiperi vitet e fundit janë ujitur mesatarisht rreth 150 mijë ha nga 400 mijë ha të mundshme. Sipas të dhënave statistikore nga 418 mijë ha tokë e kultivuar të raportuara, sipas sondazheve  dhe rezultateve të censusit të fundit, realisht nga fermerët, kultivohen rreth 300 mijë ha tokë, në një vit bujqësor. Potencialisht të pa shfrytëzuara në bazë të sondazheve dhe censusit të fundit vlerësohet se janë mbi 100 mijë ha tokë produktive, e cila mumd të kultivohet, por që lihet djerrë nga fermerët në çdo vit bujqësor. Veçanërisht, në këtë sipërfaqe toke që nuk po kultivohet në vite, vlerësohet se ka rezerva e potenciale të mëdha për të investuar e prodhuar produkte bujqësore e blegtorale të cilësisë së parë dhe natyrale, me kosto të ulët dhe se mund të përfitohen nga fermerët 100 deri 400 milion dollarë të ardhura bruto në një vit bujqësor.
Kjo sipërfaqe toke mund të ujitet dhe kultivohet me mekanikë bujqësore, por nuk kultivohet dhe nuk ujitet për disa mangësi, ndër të cilat si  më kryesoret përmendim e veçojmë:
Madhësia e vogël dhe keqorganizimi i fermave; mungesa e kooperimit midis fermerëve dhe mosformalizimi i tyre; mospërdorimi i teknologjisë së përparuar dhe inovacionit; mungesa e realizimit të disa investimeve publike të domosdoshme; pengesa në financimin dhe disbursimin e fondeve të planifikuara; disa mangësi të legjislacionit dhe akteve nënligjore që rregullojnë kryesisht veprimtarinë e fermave në zonat rurale.

Tani së fundmi, për fermerët në Shqipëri po shfaqen ndjeshëm edhe pasojat negative dhe kostoja e madhe që po reflektohet veçanërisht tek fermerët e varfër, si pasojë e marreveshjeve të tregtisë së lirë, si ajo globale e OBT dhe ajo rajonale, siç është CEFTA. Gjithashtu, fermerët në Shqipëri janë përballur edhe me dëmtime të mëdha si pasojë e ngricave dhe thatësirës së tejzgjatur si dhe përmbytjeve masive, që këto 3 vitet e fundit kanë qenë më të shpeshta.

•  Strukturimi formal i sektorit:

Në Shqipëri, nga 352 mijë ferma vetëm 33 mijë janë të pajisura me dokument identifikimi NIPT. Në tre vitet e fundit, me nxitjen dhe asistencën e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar dhe Entit Kombëtar Rural u krijuan disa SHBB dhe numri i tyre arriti në 64. Ato nuk kanë qenë të gjitha efiçente, për disa faktorë e arsye që duhen analizuar për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme e afatgjata e konkrete. Në thelb, kërkohet mbështetje nga institucionet publike të shtetit shqiptar edhe asistencë nga donatorët për:

  • Mbështetjen e 64 SHBB egzistuese me fonde grant, nga fondet e buxhetit të shtetit dhe ato të donatorëve, si dhe me ekspertë vendas dhe të huaj me përvojë, për kualifikimin e drejtuesve të tyre, për nxitjen e krijimit të SHBB të reja në çdo fshat apo njësi administrative, me veprimtari të spikatur prodhuese e eksportuese, si dhe fonde garancie për financim me kredi “të buta”.
  • Krijimin e kushteve dhe nxitje të procesit të binjakëzimit të SHBB shqiptare me simotrat e tyre, sipas fushave përkatëse, në vende të tjera të zhvilluara që vlerësohen si histori suksesi.
  • Mbështetje për realizimin e projektit të propozuar nga Shoqatat e Biznesit dhe Agrobiznesit në Shqipëri, për të mundësuar formalizimin e sektorit, përmes realizimit të Kartës elektronike të fermerit, Regjistrit Elektronik të Fermës dhe Qendrës Kombëtare të Agrobiznesit.
  • Bashkëpunim më të mirë me Shoqatat, të cilat janë përfaqësuese reale të agrobiznesit në Shqipëri, për të përmiresuar efiçencën e informimit, promovimit dhe mbrojtjes së interesave të SHBB, edhe në kuadër të zhvillimit të bujqësise sociale dhe të zonave rurale në Shqipëri.

•  Teknologjia dhe inovacioni

Për punimin e tokës në Shqipëri janë të regjistruar 9,794 traktorë, nga të cilët 4,013 janë minitraktorë. Ndërkaq, shumica e tyre janë pa targa, pa leje qarkullimi rrugor, pa dokumentacionin e nevojshëm teknik për t’u regjistruar e lënë si kolateral ndaj institucioneve kredidhënëse. Aktualisht, në gjendje pune për të punuar e kultivuar tokën me cilësi dhe me kosto të ulët janë rreth 5000 traktorë.
Për krahasim të numrit të traktorëve të pëdorur për çdo 100 ha, do të kishim këta tregues: Shqipëria 1.24, Maqedonia 6, Greqia 6.6, Italia 13.2, Gjermania 10.8, BE 8.1. Po ashtu, Shqipëria përdor 1.5 makineri të ndryshme bujqësore për çdo traktor (makineri e paisje që shërbejnë për kultivimin e tokës, për shërbimet ndaj bimëve, për vjeljen, grumbullimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore e blegtorale). Vendet e rajonit përdorin mesatarisht 5-7 të tilla, ndërsa BE 13 makineri bujqësore /traktor. Kjo situatë e dobët vjen edhe pse në Shqipëri përdoren shumë tipe traktorësh, të prodhuar shumë vite më parë, të një teknologjie tashmë të vjetëruar.
Le të shohim për krahasim nivelin e përdorimit të fuqisë, me koefiçentë të matur në KF/ha:

Rusia 2.7, Anglia 3.4, Japonia 13, kurse Shqipëria 0.53. Një tjetër tregues është KW/banor: SHBA 0.74, BE 0.37, vendet në zhvillim 0.2, ndërsa Shqipëria 0.08.
Në Shqipëri, për arsye të terrenit malor dhe pamundësisë për të përdorur mekanizimat bujqësore, vetëm 54 % e familjeve fermere përdorin traktorin ose paisje të mekanizuara për punimin dhe kultivimin e tokës. Pjesa tjetër vazhdojnë të punojnë tokën akoma  me vegla dore ose me kafshë pune. Edhe si rrjedhojë e këtij fakti, Shqipëria ka  të angazhuara mesatarisht në fushën e bujqësisë dhe të agrobiznesit 1.5 deri 2 forca pune/ha.  Kjo shifër është mjaft e ulët në krahasim me standartin e vendeve me bujqësi të zhvilluar, ku një fermer mbulon jo më pak se 50 ha. Gjithashtu, në Shqipëri në zonat rurale nuk mund të përjashtohet edhe puna e kontributi i femrave dhe fëmijëve, që janë nën moshën e punës dhe i të moshuarve mbi moshën e punës. Por edhe kjo kategori e  forcave të punës në bujqësi e blegtori sa vjen e po reduktohet, si rrjedhojë e braktisjes për në zonat urbane brenda Shqipërisë apo në emigracion.
Duke vlerësuar strukturën reale të prodhimeve bujqësore në Shqipëri nga rreth 300 mijë fermerë për çdo 1000 ha toke të kultivuar prej tyre, mesatarisht përfitojnë të ardhura bruto 800 mijë deri 1 milion dollar.  Ose 5 herë më pak të ardhura, krahasuar me 1000 ha tokë në Izrael, vend i cili nuk e ka as strukturën dhe prodhimtarinë natyrale të tokës, as burimet për ujitje si Shqipëria.
Në Shqipëri, rreth 50 % e fermerëve kanë probleme e mangësi me rrugët rurale e veçanërisht ato midis fermave, që ndikojnë në rritjen e kostove dhe pengojnë fermerët, veçanërisht në periudhën e  vjeljes dhe grumbullimit të prodhimit.
Në Shqipëri të ardhurat mesatare vjetore të fermave llogariten se vijnë 54 % nga blegtoria dhe 46% nga bujqësia, ndërsa shpenzimet mesatare vjetore llogariten se realizohen 68%  per bujqësine, 4% për mekanikën, 16 %  për blegtorinë dhe 12  % të tjera. Me blegtori në Shqipëri merren 292 mijë familje fermere, nga 352 mijë gjithsej.
Për fat të keq, treguesit e mësipërm dëshmojnë që bujqësia shqiptare vuan akoma nga rendimentet dhe të ardhura të ulta, nga një mekanizim i dobët, nga kosto të larta dhe mungesë punonjësish të kualifikuar.
Që Shqipëria të nisë të përmirësojë treguesit e mësipërm dhe të bëhet e krahasueshme me rajonin, kërkohet që:

  • Të mbështeten me subvencione dhe kredi me interesa të ulta fermerët dhe fermat, që të importojnë edhe 5000 traktorë të rinj si dhe 8 mijë makineri bujqësore të llojeve të ndryshme. Këto mjete duhen për të  plotësuar nevojat e reja për mekanikë bujqësore dhe për të rinovuar parkun e vjetër e të amortizuar, që aktualisht po e punon tokën, por me një kosto shumë të lartë dhe me cilësi shumë të ulët.
  • Të mundësohet pa humbur kohë furnizimi i fermerëve me karburant me çmim të reduktuar. Shqipëria prodhon mbi 1.4 milion ton karburant në vit. Çmimi i karburantit për fermerët është sot çuditërisht më i lartë se për veturat dhe mjetet e tjera të transportit.
  • Të amendohet legjislacioni aktual dhe të mbështetet propozimi i bërë nga Shoqata “AVALB”, për të formalizuar dhe pajisur me dokumentacion të gjithë inventarin e mjeteve të mekanikës bujqësore, duke hartuar dhe vënë në funksion të institucioneve financiare edhe librin e regjistrit për këto mjete.
  • Te riaktivizohen dhe të mbeshteten shkollat e mesme bujqësore për të edukuar të rinj të aftë si në njohjen e proçeseve bujqësore të kultivimit, ashtu dhe përdorimin e të gjitha mekanizmave bujqësore, me synim arritjen e standartit të fermerit europian.
  • Të thithet përvoja e huaj më e mirë në mbështetje të përvehtësimit e të rejave më të fundit të teknologjisë ushqimore, me synim përpunimin e produkteve agroushqimore në vend.

(vijon në numrin e ardhëshëm)

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin