Nga veprimtaria e Portit

Nga veprimtaria e Portit
2 Gazeta T&I Durrës Nr 24
  • Studentë nga Gjermania, Franca dhe vendi ynë, vizitë për portin e Durrësit

Një grup studentësh gjermanë, francezë dhe shqiptarë vizituan sot në mesditë portin e Durrësit, në kuadër të projektit “Ideas and Action for Europe: Energy and Environment in the 21st Century”.
Veprimtaria është organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me mbështetjen e “Centre International de Formation Europennee” dhe “Franco-German Youth Office”.
Për më shumë se një orë znj.Blerina Hasani, Drejtore e Mjedisit, Sigurimit Teknik,  Mbrojtjes së Shëndetit dhe Departamentit të Emergjencave në APD,  si dhe shefi i sektorit të Promocionit, z.Arben Xhemali, u bënë të njohur të pranishmëve në Sallën e Trajnimeve jo vetëm funksionimin e portit, por edhe projektet e afërta në hapësirën portuale.
Studentët shqiptarë dhe të huaj, mjaft të interesuar për zhvillimet e portit më të madh të vendit tone, kërkuan më shumë informacion, veçanërisht për kushtet dhe politikat mjedisore që aplikohen në territorin e tij.
Më pas të rinjtë u shoqëruan në Terminalin e Mallrave Gjenerale, ku panë nga afër proceset e përpunimit të anijeve.
24 të rinjtë nga Gjermania, Franca dhe Shqipëria kanë në fokusin e vizitës së tyre në vendin tonë çështjet mbi energjinë, mjedisin dhe integrimin europian.

  • Pesë anije tregtare me 13.500 ton mallra përpunohen në portin e Durrësit

Në kalatat e portit të Durrësit, është kryer së fundmi përpunimi i pesë anijeve që kanë sjellë 13.500 ton mallra të ndryshme dhe 79 kontejnerë, ndërsa nga Bari (Itali) kanë mbërritur sipas grafikut tragetet e linjës.
Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se anijet që janë shkarkuar në kalatat 1, 2, 5, 6 dhe 11 kanë sjellë nga importi mallra të ndryshme, si grurë, çimento, gurë mermeri dhe skrap.
Gjatë muajit, priten edhe dy anije të tjera me 7530 ton mallra si xhama dhe skrap.
Ndërkaq në kuadër të nismës rajonale “Adrion” në akuatoriumin e portit më të madh të vendit, janë mikpritur edhe disa anije ushtarake nga Shqipëria, Greqia, Italia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Mjetet lundruese do të marrin pjesë në stërvitjen rajonale detare “Adrion Livex 2018”.

  • Një delegacion ekspertësh nga porti i Shangait, interesim për portin më të madh të vendit tonë

Një delegacion me përfaqësues ekspertë nga sistemi portual i Shangait u prit pasditen e së Martës nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, z. Afrim Bakaj.
Grupi i specialistëve kinezë që kryesohej nga prof. Wang Zhan, Zv. President i Kongresit Popullor të Kinës dhe  Drejtor Menaxhues i Akademisë së Shkencave Sociale të Shangait, u njoh me kapacitetet dhe funksionimin e portit më të madh të vendit tonë.
Drejtori Bakaj, prezantoi rëndësinë strategjike të portit të Durrësit si një portë komunikimi mes Ballkanit dhe vendeve të Europës Perëndimore.
Drejtori Ekzekutiv i APD, mirëpriti dëshirën e palës kineze për krijimin e marrëdhënieve dypalëshe mes porteve të Durrësit dhe Shangait, si dhe interesin për investime të mundshme në portin shqiptar.
Rritja e numrit të turistëve kinezë drejt vendit tonë; promovimi i produkteve bujqësore shqiptare dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe ishin tema të tjera që u trajtuan në takimin mes drejtorit Bakaj me specialistëve nga Shangai.
Takimi, që zgjati mbi një orë, u organizua në bashkëpunim me Ing. Spartak Nanon, shef i Marrëdhënieve me jashtë në Dhomën e Tregtisë Shqipëri-Kinë dhe zv. President i Konfindustrisë shqiptare.

  • Tragetet, 2011 – 2017: Rritet numri i udhëtarëve, bie numri i lundrimeve

Numri vjetor i lundrimeve të trageteve në linjat Durrës – Bari, Durrës – Ankona – Trieste e kthim nga viti 2011 deri në vitin 2017 ka ardhur duke u ulur, ndërsa gjatë së njëjtës periudhë numri i udhëtarëve dhe automjeteve është rritur gradualisht.
Sektori i Statistikave ka publikuar në faqen e APD të dhënat krahasuese për periudhën 7-vjeçare 2011 – 2017, ku vihet re se numri i lundrimeve të trageteve gjatë një viti nga 1.431 gjithsej në vitin 2011 është ulur në 1.012 (v. 2017).
Ndërkaq, numri i udhëtarëve që shfrytëzojnë linjat detare me portet e Italisë gjatë vitit 2017 arriti në 879.905 gjithsej, nga 853.748 udhëtarë të regjistruar në vitin 2011.
Vitet 2011 dhe 2017 janë dy periudhat me numrin më të lartë të udhëtarëve dhe automjeteve me tragete, ndërsa numri më i ulët i tyre është shënuar gjatë vitit 2013, kur tragetet u frekuentuan nga 717.399 udhëtarë me 215.701 autovetura, kamjonë dhe trajlerë gjithsej.

  • Mbërrin veliera turistike “Sea Cloud”, lundrimi i parë i këtij viti drejt Durrësit

Në portin e Durrësit ka mbërritur veliera “Sea Cloud” më 61 turistë të huaj në bord, pjesa më e madhe e të cilëve nga SHBA, si dhe nga Australia, Suedia, Italia, Kanadaja dhe Gjermania. Anija turistike u ankorua rreth orës 7.00 në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.
Shumë prej udhëtarëve me të mbërritur në port u nisën drejt Krujës dhe Tiranës, ndërsa të tjerët vizituan qendrat historike dhe arkeologjike të Durrësit.
Nga të dhënat e agjencisë së lundrimit “Intermed Shiping” mësohet se veliera që po kryen një udhëtim turistik në Mesdhe është nisur nga Porto Palermo, ndërsa do të vijojë lundrimin drejt Kotorrit (Mali i Zi).
Veliera “Sea Cloud”, me një personel prej 58 vetësh, ka një gjatësi 110 metra dhe është e regjistruar në portin e La Valetas.
Ajo viziton Durrësin që prej 7 vjetësh. Vetëm gjatë kësaj vere ajo do të ankorohet në portin e Durrësit edhe 6 herë të tjera. Pas kroçerës “La Belle de l’Adriatique” kjo është anija e dytë turistike për vitin 2018.

  • APD: 2011 – 2017, rritet numri i anijeve dhe kontejnerëve të përpunuar

 Numri i anijeve të specializuara në transportin e kontejnerëve që përpunohen në portin e Durrësit është rritur nga viti në vit, mësohet nga statistikat e publikuara në faqen e APD për periudhën 2011-2017.
Nga 127 anije që u përpunuan në vitin 2011, gjatë vitit që lamë pas në Terminalin e kontejnerëve u përpunuan 206 anije gjithsej.
Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, bëhet e ditur se numri i kontejnerëve TEU (njësi kontejnerike) gjatë vitit 2017 ka arritur në 118.270 njësi, ose 37.526 njësi TEU më shumë se sa në vitin 2011, kur u përpunuan 80.744 kontejnerë TEU gjithsej.
Numri i kontejnerëve të përpunuar me drejtim eksport/importi është thuajse i barabartë çdo vit. Në vitin 2017 u përpunuan 58.920 njësi kontejnerike për eksport, dhe 59.350 kontejnerë nga importi. Vëllimi vjetor i mallrave të përpunuara me kontejnerë ka pësuar një rritje graduale, nga 1 milion e 60 mijë ton në vitin 2011 në 1 milion e 480 mijë ton në vitin 2017.

  • “Porti i së nesërmes”, konferencë në Rotterdam me porte nga 18 vende të Europës

 -Drejtori i Përgjithshëm i APD, z.Afrim Bakaj, takime bashkëpunimi me homologët europianë-
“Porti i së nesërmes” ishte tema e Konferencës së organizuar në Rotterdam nga “Europian Sea Ports Organization”, në të cilin mori pjesë edhe një përfaqësi nga Autoriteti Portual Durrës, që drejtohej nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Afrim Bakaj.
Në Konferencën ku morën pjesë drejtues të porteve nga 18 vende të Europës, si dhe përfaqësues nga institucione të rëndësishme, përfshirë edhe Parlamentin Europian, u diskutua mbi zhvillimet e ardhshme portuale dhe marrëdhëniet mes porteve të ndryshme.
Drejtori Bakaj, zhvilloi disa takime frutdhënëse me drejtues të disa porteve të rëndësishëm.
Gjatë Takimit me Drejtorin e Strategjisë së korporatave në portin e Rotterdamit, Z. Viktor Schoenmakers, dhe Drejtorin e Përgjthshëm të këtij Porti, Z. Rene Van Der Plas u diskutua mbi realizimin e objektivave në portin e Durrësit, me asistencë të këshilltarëve të jashtëm nga porti i madh evropian.
Mundësia e kontakteve dhe bashkëpunimit mes dy porteve ishte tema e diskutimit që z. Bakaj zhvilloi me Zv/ Drejtorin e Përgjithshëm të Portit të Barcelonës, Z.Santiago Garcia-Milla, i cili kryen edhe detyrën e Presidentit të Shoqatës Ndërkombëtare të Porteve.
Një bisedë e veçantë u zhvillua mes drejtorit të përgjithshëm Bakaj, me  Presidentin e Autoritetit portual të Adriatikut jugor, Ugo Patroni Griffi. Mes dy porteve të Adriatikut, Durrësit dhe Barit, ka një bashkëpunim të hershëm, i cili kohët e fundit po zhvillohet me elementë të rinj në interes të dyanshëm.

  • APD nderohet me Çmimin Europian për Praktikat më të Mira

Autoriteti Portual Durrës është nderuar këto ditë me Çmimin Europian për Praktikat më të mira. Në Konferencën e organizuar në Bruksel mori pjesë Znj. Sonila Toska, Zv. Drejtore Ekzekutive e APD. Në veprimtarinë e 11-12 Majit 2018, organizuar nga Shoqata Europiane për Kërkimin e Cilësisë, morën pjesë përfaqësues të Institucioneve publike dhe kompanive private nga 40 vende të botës. Gjatë Konventës, që u zhvillua në ditën e parë të veprimtarisë, pjesmarrësit prezantuan institucionet dhe bizneset e tyre, ndërsa në mbrëmjen e ditës së dytë u ndanë Çmimet Europiane për organizatat, kompanitë, administratat publike dhe individët me praktikat dhe rezultatet më të mira në strategjitë e menaxhimit cilësor.

 

  • Veliera “Running of waves”dhe katër jahte në portin e Durrësit

Veliera “Running of waves” dhe katër jahte turistike të madhësive të ndryshme janë ankoruar gjatë muajit të fundit në portin e Durrësit. Veliera me gjatësi 64 metra e gjerësi 9.5 metra ka 15 udhëtarë turistë në bord dhe ka lundruar nga ishulli i Korfuzit (Greqi) drejt Durrësit, ndërsa më pas është nisur nga porti i Durrësit, drejt Kotorrit (Mali i Zi).
Bashkë me anijen turistike që është regjistruar në portin La Valleta (Maltë), në kalatat 4 dhe 5 të portit më të madh të vendit janë ankoruar gjatë muajit të fundit edhe katër jahte, dy prej të cilëve vazhdojnë të marrin shërbimet në Durrës. Sezoni turistik në portin më të madh të vendit tonë nisi kur në kalatën 4 u ankorua kroçera “La Belle de l’Adriatique” me 188 turistë francezë.

 

  • 1-21 maj 2018, në tre Terminale përpunohen 40 anije me mallra

Që nga fillimi i muajit maj në portin e Durrësit janë përpunuar 40 anije tregtare gjithsej. Terminali Perëndimor (Terminali i Mallrave Gjenerale) ka pritur 18 anije me 52 mijë ton mallra gjithsej, dy prej të cilave vazhdojnë përpunimin në kalatat 1 dhe 5.
Ndërkaq, 12 anije të tjera me mbi 49 mijë ton mallra janë përpunuar në Terminalin Lindor – bën të ditur Qendra e Informacionit në APD.
Në Terminalin e Kontejnerëve që nga fillimi i muajit maj 2018 janë përpunuar 10 anije gjithsej.
Sasia më e vogël e Mallrave në një anije gjatë këtij muaji është përpunuar në Terminalin Perëndimor, 291 ton tuba uji gjithsej, ndërsa më e madhja po përpunohet në Terminalin Lindor, një anije me 12 mijë ton qymyr gjithsej.

 

  • Janar – Prill 2018: 10.348 kontejnërë TEU më shumë se në 4-mujorin 2017

Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti në Terminalin  e Kontejnerëve në portin e Durrësit janë përpunuar 43.868 kontejnerë TEU (njësi kontejnerike) gjithsej.
Burimet nga Sektori i Statistikave në APD, bëjnë të ditur se shifra e këtij viti shënon një rritje prej 10.348 kontejnerë TEU më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar.
Në katër muajt e parë të vitit 2018 në Terminalin e Kontejnerëve janë përpunuar 63 anije të specializuara. Në 4-mujorin e parë të këtij viti janë përpunuar 22.378 kontejnerë TEU për eksport, dhe rreth 900 më pak, 21.490 gjithsej, me mallra importi.
Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar 180 anije dhe 299 tragete me mbi 1 milion e 230 mijë ton mallra dhe 158 mijë udhëtarë.
Që nga fillimi i muajit maj në Terminalin e Kontejnerëve janë përpunuar 11 anije të specializuara gjithsej.

  • Drejtuesit e portit të Durrësit dhe Rijekës (Kroaci) nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit

Drejtuesit e Autoritetit Portual Durrës dhe Autoritetit Portual të Rijekës (Kroaci) nënshkruan sot në mesditë një Memorandum Mirëkuptimi, duke pasur parasysh rëndësinë e një bashkëpunimi më të gjerë dypalësh në fushën e transportit detar dhe industrisë portuale.
Në Takimin që u zhvillua në mjediset e APD, drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Afrim Bakaj tha se kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë dhe synon të shtrijë bashkëpunimin në disa fusha, mes të cilave edhe në krijimin e kushteve për një linjë tragetesh për udhëtarë dhe automjete që do të bashkojë të dy qytetet tona.  Z. Bakaj vlerësoi se këto janë hapa me rëndësi për integrimin e vendit tonë  në Bashkimin Europian, proces në të cilin edhe Kroacia, si vend anëtar  luan një rol mjaft të rëndësishëm.
Në Takim përshëndeti znj. Sanja Bujas Juraga, Ambasadore e Republikës së Kroacisë në Tiranë. Ajo tha se ndjehet e lumtur që bashkëpunimi i nisur dy vjet më parë po konkretizohet në një marrëveshje Bashkëpunimi dypalësh mes të dy porteve tona.
Znj Juraga tha se në këtë marrëveshje një rol të veçantë kanë luajtur përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Kroaci, ndërsa nënvizoi edhe takimet që kanë patur sot në Fakutetin e Detarisë dhe Navigacionit në UAMD.
Prefekti i Durrësit dhe Krujës, Roland Nasto përshëndeti pjesmarrësit nga të dy portet dhe vlerësoi rëndësinë e këtij Memorandumi për të dy qytetet dhe vendet tona.
Drejtori i Përgjithshëm i APD, Afrim Bakaj dhe znj. Zorka Beganović, zv. Drejtore Ekzekutive e APR, (në emër të Drejtorit Ezekutiv, z. Denis Vukorepa nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit.
Palët ranë dakord të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në ështjet që kanë të bëjnë me promovimin dhe bashkëpunimin ekonomik, me qëllim rritjen e shkëmbimit tregtar.
Shkëmbimi i informacionit, Promovimi, Zhvillimi elektronik, Takimet dypalëshe, Negociatat dhe konsultimet janë disa nga fushat e bashkëpunimit mes APD dhe APR.
Anëtarët e Delegacionit kroat vizituan më pas Terminalet e portit të Durrësit.