Me kërkesë të një grupi kompanish antare, të sektorit të transportit ndërkombëtar, të përfaqësuar nga “Pelikan shpk”, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës i ka dërguar një letër Ministrisë së Financave, me kërkesa të argumentuara për ndryshimin e një udhëzimi, i cili është kthyer në problematik për vepritarinë e tyre në ditët e sotme.
Duke pranuar frytet e mira të reformës së deregulimit, Dhoma vlerëson në mënyrë të veçantë kalimin online të mjaft autorizimeve, e sidomos zbatimin e principit të barrës së provës tek administrata shtetërore, për të gjitha dokumentat e lëshuara nga pjesë të ndryshme të saj.
Nisur nga praktikat e derisotme, rezulton se udhëzimi nr. 6 , datë 30.01.2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, si detajim i Ligjit nr 92/2014, neni 24, “Vendi i furnizmit të shërbimeve kundrejt një personi që vepron si i tillë, dokumentacioni i nevojshëm”, është bërë një pengesë dhe shqetësim i madh për operuesit në transportin ndëkombëtar. Në fakt, ky nen ka sjellur vazhdimisht thjesht prodhimin e proçedurave burokratike dhe të dokumenteve te panevojshme shtesë. Transportuesit kanë patur dhe kanë dokumentat e tyre, që vërtetojnë shërbimin e kryer, që nga biletat e trageteve, faturat shoqëruese CMR ose Bill of Lading etj, të cilat janë më të rëndësishme se të gjithë shtesat e bëra, sepse ato janë dokumente universale, që nuk kanë nevojë të dublohen nga dokumente të tjera. Prandaj, Dhoma e quan me shumë rëndësi të japë disa mendime dhe sugjerime për shkurtimin e dokumentacionit shtesë, që vazhdon të kërkohet për të vërtetuar, sa herë kryhet një transport ndërkombëtar. Në vijim cilësohen disa nga dokumentat shtesë, të cilat sugjerohet dhe jepen arrgumentat përktëse përse duhen hequr apo përmirësuar:
1. Kontrata për shërbim – Jo gjithmonë mund të lidhet një kontratë. Ka raste të përsëritura, ashtu siç ka raste spontane. Çdo mjet komunikimi, kur palët bien dakort është një kontratë. Një email i shkëmbyer midis transportuesit dhe Klientit është një marrëveshje e vlefshme për të filluar një transport. Kjo ndodh pasi urdhëruesi i transportit (klienti) dhe transportuesi mund të jenë në vende të ndryshme.
2. Vërtetim i pagesës së VAT – Kërkohet i lëshuar nga autoritetet tatimore të vendeve të huaja, ku klienti, për të cilin kryhet transporti, është resident. Ky dokument duhet të vërtetojë që subjekti, i cili ka kërkuar të kryejë një transport me një transportues shqiptar, është pagues i rregullt i VAT në vendin e tij. Këtu ka dy raste :
a) Europa që aplikon VAT: Ne nuk mund të kemi dot një vërtetim nga klientë europianë, pasi asnjë nuk pranon të shkojë në zyrat e tatimeve përkatëse të marrë vërtetimin, që i duhet një transportuesi shqiptar. Por, në proçedurat e ndërsjellta, mjafton të kemi nr e identifikimit, të cilin e demonstrojmë me faturat. Ndërkaq, i takon organeve të shtetit tonë të hetojnë çfarë përfaqëson ky subjekt, etj.
b) Pjesa tjetër e botës që nuk aplikon fare VAT: Për këto vende është i pazbatueshëm neni 24, pika 1/i e udhëzimit, ku thuhet “vërtetim që është pagues i rregjistruar për TVSH-në”.
Pra, në të dyja rastet është e tepërt pajisja me vërtetim nga zyrat e taksave të vendeve përkatëse.
Praktika e përditshme me firmat e huaja tregon që asnjë kompani e asnjë shtet nuk aplikon këtë metodologji të aplikimit të vërtetimit të dokumenteve apo vërtetësisë së subjekteve, nëpërmjet deklarimeve nga zyrat tatimore përkatëse, që janë pagues apo jo të TVSH (VAT). Për hir të reciprocitetit në marrëdhëniet midis partnereve, ne nuk mund të kërkojmë dokumente më shumë se ç’parashikon praktika ndërkombëtare. Kjo do pengonte zhvillimin e biznesit dhe do t’i bëjë kompanitë e transportit shqiptar më pak konkuruese në tregun ndërkombëtar.
3. Zotërimi i kopjes së deklaratës doganore – Kërkohet që për çdo transport të kryer, nga subjekt transportues shqiptar të zotërohet një kopje deklarate doganore të çdoganimit të mallit nga subjekti, për të cilin ka kryer transportin.
Zotërimi i këtij dokumenti nga ana e transportuesit është shkelje e të drejtës së privatësisë së klientit, ku shumë prej tyre nuk lejojnë të jepet ky dokument, pasi përmban shumë elementë, që mund të përdoren nga konkurentët, që nga furnitori, çmimi i blerjes etj. Përveçse shton burokracinë dhe volumet e dokumenteve dhe arkivave të panevojshme. Sidoqoftë, me të dhënat alternative, si CMR, Bill of Lading, Faturë Tatimore transporti (targë mjeti, numër kontenieri, emër anije, etj ), çdo deklaratë doganore është lehtësisht e gjurmueshme nga organet tatimore për efekt hetimi.
4. Një vërtetim i lëshuar nga pronari i mallit që transporti është për eksport – Kërkohet një vërtetim nga subjekti eksportues, ku të deklarojë që ky mall është i destinuar për eksport. Ndërkohë, CMR, Bill of Lading, Fatura Tatimore e lëshuar nga transportuesi etj, i kanë të gjithë të dhënat që kërkon ky vërtetim.
5. Barra e Provës për të vërtetuar që fatura tatimore me TVSH 0% i është shtuar vlerës së mallit për deklarim doganor – Kërkohet që transportuesi të garantojë se fatura tatimore e transportit, lëshuar subjektit tregtar është deklaruar në doganë gjatë çdoganimit të mallrave nga ky i fundit. Udhezimi i lë barrën e provës transportuesit të vërtetojë apo detyrojë, që subjekti tregtar ka deklaruar vlerën reale të transportit sipas fatures tatimore të transportit. Ndodh që, për shkak të nivelit të ndryshëm të vlerës transport real apo vlerë referencë, që përdor Dogana, subjekte të ndryshme tregtare zgjedhin të aplikojnë dhe deklarojnë vlerën më të ulët të transportit. Nëse subjekti tregtar nuk e ka deklaruar faturën tatimore të transportuesit në çdoganimin e mallrave, atëhere transportuesi gjobitet dhe dënohet duke paguar TVSH e transportit të kryer.
Ne kërkojmë që ky nen të ndryshohet dhe të hiqet penalizimi për transportuesin, i cili ka pajisur rregullisht me faturë tatimore subjektin tregtar. Ka vetëm një përgjegjës për mosdeklarimin e vlerës reale të faturës së transportit: subjekti tregtar. Mendojmë se Organet Tatimore në bashkëpunim me Doganat i kanë të gjitha mjetet, mundësitë, për ta ndjekur dhe zbuluar këtë problem pa ndihmën e transportuesve.
6. Transporti ndërkombëtar intermodal – Kjo pikë e udhëzimit detyron transportuesit shqiptarë, kur kryejnë pjesë të transportit ndërkombëtar apo kur nënkontraktohen për transport ndërkombëtar nga partnerë transporti shqiptarë të faturojnë, për çdo subjekt shqiptar transporti me TVSH 20%. Do të thotë që, nëse një transportues ndan një punë me një transportues tjetër për të njëjtat destinacione, duhet të faturojë klientin si për punën e tij, edhe për punën e nënkontraktorit, por ndërkohë nga nënkontraktori merr një fature tatimore me TVSH.
Kërkojmë që të hiqet aplikimi i TVSH për transportet ndërkombëtare, të cilat vërtetohen si të tilla edhe kur kryhen nga nënkontraktorë shqiptare. Praktikisht aplikimi i TVSH mbetet i njëjtë në çdoganimin e mallit sipas vlerës së faturës tatimore të fundit, pavarësisht se sa transportues kanë marrë pjesë në transport. Mendojmë që aplikim i TVSH-së së ndërmjetme është një formë që nuk ndihmon në optimizimin e transporteve nga përdorimi reciprok i gjithë kapaciteteve ekzistuese në treg. Fakti që, midis transportuesve, ka marrëdhënie dhe i takon vetëm hallkës së fundit të faturojë me TVSH 0% dhe hallkat e tjera me 20% TVSH, nuk ka asnjë ndikim nga ana fiskale. Edhe këtu kemi të bëjmë me transport ndërkombëtar dhe kalimi i kreditimit të TVSH nga një subjekt tek tjetri nuk sjell asnjë të ardhur shtesë për buxhetin e shtetin, sepse fatura do të tatohet sipas procedurës doganore.
Përsa më sipër, Dhoma mendon që transportuesit kanë dokumentat e mjaftueshme për vërtetimin e transportit ndërkombëtar, të cilat janë;
- CMR (faturë shoqëruese e mallit për transportin ndërkombëtar me mjete, ku shënohen të gjitha të dhënat ndërmjet palëve).
- Way Bill ( e njëjtë si më sipër)
- Bill of Lading (faturë shoqëruese transportin ndërkombëtar me mjete detare)
- Air Way Bill (faturë shoqëruese transport ndërkombetar me mjete ajrore)
- Bileta trageti për transport detar të mallrave me mjete
Këto dokumente janë të mjaftueshme për të bërë të mundur vërtetësinë e kryerjes së transportit ndërkombëtar. Vetë transporti ndërkombëtar është i larmishëm dhe unikal në botë. Dokumentat e mësipërme janë ndërkombëtare, universale, unike dhe përdoren njëlloj në të gjithë botën.
Sot, me globalizimin e ekonomisë, transporti ndërkombëtar është gjithmonë e më tepër intermodal. Në vetvehte, një transport nga një vend në një vend tjetër mund të përfshijë shumë mënyra transporti: hekurudhor, tokësor, detar, pra ai nuk mund të segmentohet.
Për kompanitë transportuese është kthyer në makth gjetja e dokumentave shtesë, pasi është shumë e vështirë për t’i siguruar. Sipas udhëzimit, nuk nevojitet një nga dokumentat, por të gjitha, që do të thotë, çdo faturë tatimore duhet të shoqërohet me të paktën 4 dokumenta të tjerë shtesë. Kjo lë shteg për interpretim subjektiv nga kontrollet tatimore, pasi mospasja e një dokumenti penalizon subjektet e transportit, pa përmendur kostot në njerëz, materiale, kohë që rëndojnë kompanitë transportuese për gjetjen e dokumentacionit.
Përmbledhtas, ky udhëzim është tashmë i vjetruar dhe duhet ndryshuar rrënjësisht!