Treguesit demografikë dhe biznesi

Treguesit demografikë dhe biznesi
1 Gazeta T&I Durrës Nr 20

Çfarë po ndodh me popullsinë e vendit tonë? A është e vërtetetë që ajo po zvoglohet? Cilat janë masat që duhet të aplikojë biznesi si dhe qeveria për të përballuar këtë situatë të re të panjohur?
Këto ishin disa nga pyetjet që i drejtuam zotit Koço Broka, ekonomist dhe studjues me përvojë i kësaj fushe. Në vijim, shtjellimi i tij në ligjërate të drejtë:
“Maturimi i biznesit shqiptar është shprehur jo vetëm në rolin e tij si aktor i pazëvëndësueshëm në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit, organizmin më të mirë të tij në Dhoma Tregtie apo shoqata të tjera e bashkime të tyre, por dhe në rolin e tij për formësimin e politikave ekonomike e sociale apo mënyrat e trajtat e vetë zhvillimit të tij. Në këtë rafsh, gjithnjë e më tëpër po merr hapësirën e duhur analizimi, vlerësimi dhe parashikimi i niveleve aktuale dhe të ardhëshme të variablave ekonomike e sociale, si bazë për shumë vendime, si në sektorët privatë por edhe ata publike të ekonomisë. Kjo nuk është rastësi apo dëshirë. Në rafshin ndërkombëtar biznesit i duhet t’i bëjë ballë konkurrencës gjithnjë e në rritje në kushtet e globalizimit. Ndërkohë, në kushtet e stadit të ri të integrimit rajonal dhe sidomos atij europian, për të kaluar nga marrëveshjet e tregëtisë së lirë në një nivel tjetër më të avancuar, siç  është ai i tregut të përbashkët rajonal apo europian, atij i duhet të ndryshojë e zhvillojë edhe veten, për t’i bërë ballë kësaj kësaj konkurrence. Mjafton të mbahet parasysh se aktualisht raporti midis Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH), të grumbulluar në doganë ndaj atij të grumbulluar në organet tatimore, është 3:1. Heqja e kufijve doganorë do të kërkojë që ky raport të ndryshojë dukshëm, në dobi të TVSH-së të mbledhur në organet tatimore dhe jo ato doganore. Ja pse gjithnjë e më tepër çdo aspekt funksional i biznesit, mbështetet e po kërkon kërkon të mbështetet me monitorime, analiza, vlerësime e parashikime. Luhatshmëria e tatim–taksave dhe rritja e madhe e tyre vitet e fundit, kërkon të zëvëndësohet nga qëndrueshmëria, parashikueshmëria dhe pse jo edhe ulja e tyre. Por, kjo nuk mund të bëhet me veprime arbitrare apo thjesht dëshira, pa një dialog konstruktiv dhe argumentat përkatse. Po kështu, kërkesat e punësimit sasior dhe të cilësisë së tij kërkojnë vlerësimin dhe parashikimin e treguesve demografikë, popullsisë, por dhe të strukturës së saj, etj. Këto të fundit po marrin një rëndësi të posaçme për vetë ndryshimet e mëdha që kanë pësuar dhe pritet të ndryshojnë jo vetëm në një të ardhme të largët, por dhe afatmesme e afatshkurtër. Më 13 Shkurt, INSTAT publikon raportin, “Popullsia e Shqipërisë më 1 Janar 2018”. Si çdo herë, ky botim do të pasqyrohet edhe në median e shkruar e atë audiovizive, ndoshta dhe me tituj bombastikë. Por kjo nuk mjafton. Ka ardhur koha që ky informacion të marrë vëmëndjen e duhur, jo vetëm të studjuesve, ekonomistëve, sociologëve të vecantë por edhe të politikbërësve, universiteteve, shoqërisë civile dhe sigurisht të biznesit e organizimeve të tij.
Këto të fundit karakterizohen nga një interesim në rritje lidhur monitorimin e rishpërndarjen e treguesve të ndryshëm makroekonomikë që bën INSTAT, sic janë Indeksi i çmimeve të konsumit, Tregtia e jashtme etj. E rëndësishme është që kjo ndërmarrje mjaft pozitive të mos mbetet vetëm me një rishpërndarje të tyre, por të shoqërohet me vlerësimin dhe analizimin e tyre se si mund të merren në konsideratë ato gjatë vendimarrjeve nga ana e shoqatave të biznesit. Një hap jo pak i rëndësishëm në këtë aspekt është kalimi nga analiza dhe vleresimi jo vetëm i zhvillimeve aktuale, por edhe zhvillimeve të ardhshme të tyre.
Publikimi periodik “Popullsia Shqipërisë, më 1 Janar 20xx” ka një pamje më të gjerë se sa vetë emërtimi i tij. Duke dhënë, numurin e popullsië gjithsej, të detajuar  për femra e meshkuj, në datën 1 Janar të çdo fillim viti, ai në vetvete nuk kufizohet vetëm në dhënien e kësaj tablloje. Një vend të posaçëm zënë dhe pasqyrimi i grupfaktorëve kryesorë që ndikojnë në ecurinë e popullsisë, shtimin apo pakësimin e saj, siç janë ato të shtesës natyrore të popullsisë (lindjet dhe vdekjet) dhe migracioni ndërkombëtar neto (emigrimi dhe imigrimi). Ky i fundit, për vitin 2014, ishte 18,046 vetë. Për vitin 2015, në krahasim me vitin 2014  pësoi rënie, duke u ulur në 17 mijë vetë. Për vitin 2016 po sipas INSTAT, migracioni neto u ul në rreth 10 mijë vetë. Kjo ulje e nivelit të emigracionit neto, në kushtet e shtesës natyrore prej 11 mijë vetë, rezultoi në një rritje (për herë të parë pas vitit 2001), të lehtë të numrit të popullsisë banuese në 1 Janar 2017. Natyrshëm, shumëkush përshi dhe binesin  është i interesuar  të dijë:
Çfarë ka ndodhur gjatë vitit 2017?
Çështja e emigracionit, e largimit sidomos të të rinjve nga vendi dhe ajo e azilantëve në Europë, është bërë objekt i një debati shumë të zhurmshëm politik. Për fat të keq, në kushtet e një politizimi të skajshëm, matja e migraciont neto nuk ka marrë vemendjen e duhur! Madje, nga politika e politikbërja nuk është ngritur as çështja e matjes të saktë të migracionit neto, e cila
ndërkohë evidentohet nga vetë INSTAT. Ky i fundit nuk është kufizuar vetëm në shpjegimin metodologjik. Sipas këtij institucioni,  migracioni neto është teprica/deficiti i imigrantëve ndaj emigrantëve në një popullsi, në një periudhë kohe të dhënë. Më tej vjen shpjegimi se “Migracioni Neto”, i kuptuar si lëvizje e njerëzve që hyjnë dhe dalin nga vendi (migracioni ndërkombëtar), është komponenti më i vështirë për t’u matur, duke qenë se Shqipëria nuk ka ende një regjistër popullsie. Në këtë mënyrë ne përdorim të dhënat më të mira ‟proxy‟ për vlerësimin e migracionit, duke u bazuar kryesisht në të dhënat e mbledhura nga moduli i migracionit nëpërmjet anketës së forcave të punës kombinuar me koeficientët e projeksioneve të popullsisë 2011-2031. Kjo do të thotë se në vend që të interesohet, duke përdorur instrumentat e saj të interpelancave, se cilat janë arësyet e vërteta që INSTAT vazhdon me vlerësime  ‟proxy‟ dhe jo me matje të saj, duke i ofruar gjithë mbështeten financiare, politika jonë vazhdon me zhurmë politike, ku opozita akuzon mazhorancën dhe anasjelltas, apo duke trumbetuar se janë për votimin e emigrantëve, e të tilla si këto! Në këto rrethana, zor se iu kushtohet rëndësia e duhur masave të jera që do të mundësonin rënien e migracionit neto.
Interesimi i biznesit e shoqatave të tij pa asgjë të përbashkët me politizimet, krahas me interesimin e universiteteve e të mbarë shoqërisë për çështet demografike, do kontribonte realisht sa për matjen e saktë të këtij treguesi, se çfarë po ndodh më saktë me popullsinë e Shqipërisë, sa  dhe në çfarë përmasa po tkurret dhe pritet të tkurret ajo në vitet në vijim, e sidomos për përballimin e kësaj tkurrje aq sa edhe në zgjidhjen e problemeve në këtë fushë. Nëse popullsia e Shqipërisë po tkuret, duke kontribuar që edhe tregu i brendshëm të rudhet për efekt të këtij faktori, kjo e bën imperative që biznesi të hedhë më mirë sytë ndaj rritjes të tregut të  jashtëm, zhvillimit të eksporteve dhe turizimit, si mundësi dhe rrugë të zgjerimit e rritjes së vet. Në kushtet e kalimit nga marrëveshjet e tregëtisë së lirë në ato të një tregu të përbashkët rajonal apo europian, kjo kërkon ndryshime të thella të vetë biznesit, por edhe të mbarë shoqërisë për t’i përballuar ato.
Jo më pak rëndësi por merr jo vetëm njohja dhe përballimi i efekteve të migracionit neto, por edhe ajo e shtesës natyrore të popullsisë. Niveli i saj ka rënë në rreth 10 mijë vetë, gjatë viteteve 2015-2016, nga 64 mijë vetë që ishte ky tregues në vitin 1990. Ndërsa në vitin 2017, ky nivel pritet të bjerë akoma më tej në 8-7 mijë vetë, për të rënë në zero  dhe më pas nën zero, pas tre katër vitesh. Sa do e konfirmojë këtë konkluzion publikimi i 13 Shkurtit të INSTAT?
Në kushtet kur koefiçenti i fertilitetit (numuri mesatar i fëmijve që lind mesatarisht një grua gjatë periudhës të saj të riprodhimit) ka rënë në nivelin e 1.51, nga rreth 2-2.1, që duhet të jetë ai për të patur një riprodhim të thjeshtë  të popullsisë, por dhe nga botime të tjera mbi ecurinë  numurit të  lindjeve, vdekjeve, shtesës natyrore, pritet që ky tregues të konfirmohet. Por, kjo do të thotë se popullsia e Shqipërisë pritet të pakësohet pas disa vjetësh, pavarësësisht nga ecuria e migracionit. Kjo do vërë biznesin shqiptar në një pozitë, kur ai duhet të rritet e zhvillohet edhe në kushtet e tkurrjes të pashmangëshme të  tregut të brendshëm për efekt të këtij faktori.
Publikimi “Popullsia e Shqipërisë, më 1 Janar 2018”, është i rëndësishëm, sepse ai hedh dritë edhe mbi ndryshimet e strukturës moshore të popullsisë. Dhe për vitin 2017, pritet të vazhdojë të thellohet prirja e qartë e 3-4 viteve të fundit, për rënien e dukshme të popullsisë nën moshën e punës (0-14 vjeç), dhe të rritjes së popullsisë mbi moshën e punës. Në këtë rafsh mjafton të mbahet parasysh që ndërsa në fillim të vitit 2013 popullsia nën moshën e punës  ishte  581717, në 1 Janar 2017 ishte 522,110, ndërsa popullsia mbi moshën e punës u rrit nga 336,695 vetë në 1 Janar 2013, në 377,951vetë në 1 Janar 2017. Ko është shoqëruar me një rritje të raportit të varësisë së të moshuarve, nga 17% në 19.1% (raporti i personave në moshë 65+ vjeç ndaj popullsisë në moshë pune 15-64 vjeç). Këtu ja vlen të mbahet parasysh se sipas projeksionit të popullsisë të bërë nga INSTAT, për vitet 2011-2031, parashikohet se për katër vitet e ardhshme, raporti i varësisë së të moshuarve do rritet me me ritme më të shpejtë ose me 0.7 pikë përqindje më shumë se e njëjta periudhë e katër viteve parardhëse. Kjo për faktin se gjatë viteve të ardhshme krahas shtimit të popullsisë mbi moshën e punës do vihet re ulja e popullsisë në moshën e punës me rreth 45 mijë vetë. Por,  një situatë e tillë natyrisht ka efekte të drejpërdrejta si në sasinë dhe cilësinë e të punësuarve të rinj shtesë, ashtu dhe  në defiçitin e sigurimeve shoqërore, i cili është rritur nga rreth 40 miliard lekë, në vitin 2014, në rreth 48 miliard lekë në vitin 2016.

Një situatë e tillë e kish bërë imperative rritjen e formalizimit të punonjësve të punësuar në sektorin privat jo bujqësor. Sipas INSTAT, mbështetur në burimet administrative,  ky tregues paraqitet nga 288,380 në tremujorin e tretë të vitit 2013, në 481,880 vetë ose me një shtesë prej 193 500 vetë,  ose  një  rritje 67.1%, një shtesë jo e vogël. Natyrshëm lind pyetja: në çfarë shkalle ky reultat është rrjedhojë e formalizimit të punonjesve apo e shtimit të punonjësve të rinj?  Si e tillë dhe në varësi nga fakti se sa janë punonjës të formalizuar dhe sa janë shtesë e te punësuarve të rinj, ajo ka patur efekte jo të vogla në vetë funksionimin e biznesit, në marrëdhënien e tij me punonjësit, por edhe në marrëdhënie me shtetin, duke patur në të njëjtën kohë efekte në treguesit financiarë të tij. Këtu nuk mund të mos të bëjë përshtypje fakti që paga mesatare mujore bruto për një të punësuar për vitin 2016, në  një Shoqëri me Përgjegjësi të kufizuar, ka qënë vetëm 37.381 lekë, ndërsa për administratën publike 56.496 lekë. Një situatë e tillë nuk mund të mos bëjë presion nga njëra anë për të drejtuar sidomos të rinjtë për t’u punësuar në shtet ose për të emigruar, për rrjedhojë dhe në funksionimin e biznesit.

Kjo situatë komplikohet edhe nga një dukuri tjetër demografike, sic është ajo e migrimit, lëvizjeve të brendshëme midis qarqeve, që pritet të prezantohet në publikimin e sipërcituar. Sipas të dhënave të publikimeve të mëparshme, rezulton se nga 1 Janari 2013 deri në 1 Janar 2017 vihen re largime nga 9 qarqe dhe një shtim shtesë të popullsisë për 3 qarqe, sidomos atë të Tiranës dhe të Durrësit dhe në një nivel të vogël dhe atë të Vlorës. Gjatë kësaj periudhe popullsia  e Shqipërisë është pakësuar me 21179 banorë. Në të njëjtën kohë, popullsia e larguar nga qarqet, ku vihet re rënia e popullsisë, ka qënë gjatë kësj periudhe 97280 vetë, ndërsa në qarqet ku është vënë re shtimi i poullsisë ky tregues ka qënë 76101, nga të cilët 64098 banorë i përkasin qarkut të Tiranës dhe 10794 banorë qarkut të Durrësit. Ndërkohë, nuk mund të mos të bëjë përshtypje fakti se pavarësisht nga kjo lëvizje e madhe e popullsisë nga disa qarqe në të tjera dhe migracioni i jashtëm neto, niveli i të punësuarve në bujqësi se sipas botimeve të INSTAT, nga 459,929  në tremujorin e tretë të vitit 2014, ka rezultuar në 456,829 vetë në tremujorin e tretë të vitit 2017. Në këtë kuadër, me të drejtë përfaqësues të biznesit apo shoqatave të fermerëve, kërkojnë rregjistrimin jo vetëm të fermave por dhe të fermerve.
Gjithsesi, në qarqe të ndryshme problematika që kanë përballë biznesit dhe organizimet e tij, duke patur disa elementë të përbashkët të dukurive demografike të njëjtë në thelb në të gjithë vendin, nuk paraqitet identike për të gjithë aspektet e dukurive demografike. Por, duke u orientuar nga dukuritë demografike në nivel kombëtar, është më lehtë për t’u orientuar në treguesit demografikë në nivel qarku, bashkie, e më tëj për zonën qytetare e atë rurale.  Ja përse nga biznesi dhe organizmet e tij është e nevojshme të njihen sa të dhënat e mësipërme, aq dhe për lidhjet dhe ecurinë që është vënë re dhe pritet të vihet re në të ardhmen afatshkurtër dhe atë afatmesme, midis elementëve të strukturës së popullsisë të prezantuar në Tabelën 2. Popullsia  gjithsej nga ana e saj ka strukturën e vet moshore, popullsia nën moshën e punës, mbi moshën e punës dhe në moshën e punës. Kjo e fundit nga ana e vet përbëhet nga popullsia inaktive dhe ajo e Forcave të Punës. Kjo e fundit përbëhet nga ana e vet nga grupi i të punësuarve  dhe të papunë. Si u evidentua edhe më lart, me  shfaqen e dukurisë dhe pritshmërinë së uljes së popullsisë në moshë pune, pritet të ketë efektet e veta sasiore por edhe cilësore në të gjithë elementët e tjerë, popullsinë inaktive, të punësuarit dhe të papunët. P.sh, sipas të dhënave të INSTAT, për bilancin e forcave të punës rezulton se nga viti 2012 në vitin 2015, pavarësisht nga rritja e nivelit të të punësuarve, punëkërkuesit e papunë të regjistruar nuk janë pakësuar. Një situatë tjetër paraqitet për vitet 2016 dhe 2017, kur vihet re dukuria e rënies së dukshme në terma absolute, por dhe relative të punëkërkuesve të papunë të regjistruar. Kjo dukuri pritet të lexohet në mënyra të ndryshme nga organet shtetërore dhe mazhoranca në pushtet dhe nga biznesi dhe organizimet e tij. Për këtë të fundit nuk ka vend për eufori dhe duartrokitje se ka rënë niveli i papunësisë. Ata do ndodhen para vështirësive të gjetjes së punonjësve si në aspektin sasior ashtu dhe atë cilësor. Në këtë kuadër vlen për t’u përshendetur fakti i stimulit të nivelit të pensionit për kontributet e paguara mbas mbushjes së moshës së daljes në pension, duke e konsideruar daljen në pension më tepër si një të drejtë se sa një detyrim. Ja pse interesimi i biznesit dhe organizimeve të tij ndaj dukurive demografike, vlerësimi dhe parashikimi i tyre, nuk është thjesht një çështje dëshire apo erudicioni. Ai është një bazë dhe informacion i domosdoshëm për të kontribuar tani sidomos në matjen e saktë të treguesve demografikë dhe sidomos ato që kanë të bëjnë me punësimin, për të ndërmarrë vendime mbi bazën e një informacioni të mirëstudjuar që t’iu përgjigjet situatave të reja demografike dhe makroekonomike, por dhe për të kontribuar në zhvillimet e duhura demografike në të ardhmen”.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin