∙ Kur Antiinformalitet 3 është në zbatim e sipër, biznesi i është përgjigjur një anketimi mbi shkaqet që kanë nxitur aktivitetin e parregulluar ligjor në sektorët e tyre, por edhe në përgjithësi.
Të renditura njëra pas tjetrës, biznesi konsideron se që nga zbatimi i procedurave tatimore tek fragmentarizmi i sistemit apo cilësia dhe qëndrueshmëria e legjislacionit fiskal, të gjitha janë shkak për lulëzimin e informalitetit.
Anketa e Këshillit të Investimeve mbi vrojtimin e administratës publike dhe informalitetin nënvizon edhe këtë aspekt: “Faktori fiskal më i rëndësishëm që mund të nxisë informalitetin tek bizneset ka qenë një pyetje me alternativa drejtuar bizneseve në vrojtim. Faktorët që krijojnë hapësira për informalitet dhe të vlerësuar si më të rëndësishmit nga biznesi janë: a) zbatimi i procedurave tatimore, b) kapacitetet e administratës tatimore, c) pragu i TVSH dhe d) pragu i tatim fitimit. Nëse i konsiderojmë si shumatore dy të fundit në një faktor të vetëm, fragmentizimi i sistemit tatimor del si shkaku i parë më i rëndësishëm i sjellë nga bizneset. Duhet theksuar se bizneset e përgjigjura në këtë vrojtim janë në shumicë mbi 8 milionë lekë xhiro vjetore dhe kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe tregtisë”, – thuhet në raportin e Këshillit të Investimeve.
Por ndërsa në përgjigjet e para, biznesi është kufizuar brenda varianteve që mund të përzgjidhte, në një seksion më vete pa kufizime, mes shkaqeve për informalitetin janë renditur edhe korrupsioni, ndikimi politik.
“Mbi shkaqet që nxisin informalitetin në sektorin ku operojnë, një larmishmëri përgjigjesh kanë ardhur nëpërmjet vrojtimit. Sekretariati ka bërë një grupim të tyre sipas disa shtyllave që përgjithësojnë deri diku komentet e marra, që janë i) korrupsioni dhe ndikimi politik i bizneseve, ii) kapacitetet e administratës tatimore dhe doganore, iii) cilësia dhe qëndrueshmëria e legjislacionit fiskal, iv) konkurrenca e pandershme; v) fragmentizimi i sistemit tatimor; vi) taksat e larta, vii) niveli i ulët ekonomik. Numri më i madh i takon korrupsionit dhe ndikimit politik, pasuar nga kapacitetet e administratës tatimore dhe doganore si dhe legjislacioni fiskal” thuhet në raport. Përtej këtyre arsyeve, bizneset nuk kanë harruar të përfshijnë edhe vehten, ku kultura e ulët fiskale e tyre është cilësuar gjithashtu si një shkak për të devijuar nga kuadri ligjor.
∙ Si mund të ulet informaliteti
Këshilli i Investimeve, në një shtojcë më vete, ka bërë edhe propozimet e tij për uljen e informalitetit, ku një ndër sugjerimet që bie në sy është rimbursimi për konsumatorët 5-10 për qind të vlerës së kuponit tatimor. Rekomandime të tjera për Qeverinë, të këtij organizmi të specializuar do të ishin:
– Rritja e bonuseve për doganierët nëse rrisin zhdoganimet e rregullta, kështu pjesën që kërkojnë nën dorë, do ta merrnin zyrtarisht si bonus nga shteti.
– Kërkesë të origjinës së produkteve në subjektet e tregtimit përfundimtar të produktit.
– Ideja, që një biznes që plotëson kriteret, të çertifikohet me një pullë dhe kështu inspektorët nuk mund të vijnë e të bëjnë presion çdo javë.
– Mënyra më e mirë për të luftuar informalitetin është të kontrollohen dhe gjobiten qytetarët apo bizneset që nuk pranojnë t’u japësh faturë me TVSH.
– Mundësi sistemimi detyrimesh tatimore, pa efekte të menjëhershme penalitetesh nga kontrollet tatimore.
– Ndërgjegjësim i publikut, me anë të inçentivit: çdo kupon tatimor të rimbursohet me 5 – 10 %.
– Të gjitha subjektet që prodhojnë, shesin apo kanë aktivitet në fushën e Agrobiznesit të jenë të pajisur me licencat përkatëse dhe të jenë objekt i monitorimeve sipas ligjit, me qëllim që të jenë të gjithë të barabartë. Kjo sidomos është e theksuar nëpër rrethe.
– Administrata tatimore të organizojë takime të veçanta sipas sektorëve, ku t’i drejtojnë bizneset drejt formalizimit
– Një administratë tatimore e papërgatitur, ku lë shumë për të dëshiruar niveli i militantizmit, të rinj e të vjetër nuk ka rëndësi, thjesht përzgjedhja është më shumë me baza lidhjesh partiake se sa me specializime profesionale. Të rinj sapo të diplomuar ose me maksimumi 1-2 vjet eksperiencë pune nuk mund të jenë kurrë pjesë e departamentit të kontrollit tatimor që shkojnë dhe kontrollojnë profesionistë që kanë vite në këtë fushë.
– Shërbimi për tatim paguesin më i hapur dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me profesionalistet, të ndihmojnë subjektet që të raportojnë siç duhet detyrimet tatimore.
– Informacioni sa më i aksesueshëm. Ligjet të shpallen përpara se të diskutohen, të zbatohen bashkë me udhëzimet përkatëse, por dhe të mos ketë shumë ndryshime të ligjeve.