Nga veprimtaria e Portit

Nga veprimtaria e Portit
2 Gazeta T&I Durrës Nr 19

Tragetet 2017: Më shumë se 825 mijë ton mallra, mbi 73 mijë kamjonë dhe trajlerë

Gjatë vitit 2017 tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona-Trieste e kthim, së bashku me udhëtarët dhe autoveturat, kanë transportuar 73.424 kamjonë dhe trajlerë me 825.506 ton mallra të ndryshme.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se volumi i mallrave të transportuar me tragete gjatë vitit të kaluar është 55.352 ton, ose 7 përqind më i lartë, se në 2016.
Gjatë gjithë vitit të kaluar tragetet kanë sjellë drejt Durrësit afro 514 mijë ton mallra me 38.670 kamjonë dhe trajlerë, ndërsa janë transportuar drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes 311.709 ton mallra të tjerë, me 34.754  kamjonë dhe trajlerë. Edhe shifrat e kamjonëve dhe trajlerave që kanë shfrytëzuar tragetet gjatë vitit të kaluar janë përkatësisht 9 dhe 10 përqind më të larta se sa në vitin e kaluar.
Afro 880 mijë udhëtarë me 259 mijë autovetura, kamjonë dhe trajlerë gjithsej kanë preferuar të lundrojnë me tragete nga porti i Durrësit drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë vitit 2017

Afro 300 mijë ton çimento për eksport që nga fillimi i vitit 2017

Nga porti i Durrësit që nga fillimi i vitit 2017 janë transportuar drejt porteve të tjerë 297.700 ton çimento për eksport, një sasi shumë më e madhe se sa ajo që është ngarkuar në anijet e transportit gjatë së njejtës periudhë të vitit  2016.
Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se çimento “made in Albania” që prodhohet në fabrikat e rajonit të Fushë Krujës është ngarkuar kryesisht në anijet “Sirios Cement 1”, Vela 1”,  “Seaven Luck” dhe “Edra IV”, të cilat që nga fillimi i vitit, kanë transportuar më shumë se 95 përqind të çimentos për eksport.
Anija “Sirios Cement 1”, me gjatësi 139 metra, ka ngarkuar më shumë se 20 herë sasi të ndryshme nga 4.500 ton deri në 12.500 ton çimento.
Çimento e prodhuar në fabrikat pranë Fushë Krujës dhe që shfrytëzohet për industrinë e ndërtimit i është drejtuar më pas porteve të Margheras (Itali) dhe të Maltës.

Takimi Konsultativ i i Institucioneve dhe Agjencive në APD

Bashkëpunimi institucional në Terminalin e trageteve gjatë periudhës së festave të fundvitit, si dhe krijimi i kushteve normale të kontrollit kufitar dhe doganor në shërbim të bizneseve që shfrytëzojnë tragetet, ishin temat kryesore të Takimit konsultativ që u iniciua dy ditë më parë nga Drejtori Ekzekutiv i APD, Artjan Qirici.
Së bashku me drejtoren e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Lindita Nushi, drejtorin e Doganës Durrës, Agron Lamaj, si dhe përfaqësues të Terminaleve dhe Agjencive të interesuara, pjesmarrësit në Takim e quajtën të domosdoshme ngritjen brenda marsit 2018 në Terminalin e Trageteve të një Tende për kontrollin fizik të kufirit dhe doganës. Në të njejtën frymë bashkëpunimi për t’i shërbyer biznesit do të punohet për krijimin e një Zone Sterile në zonën e eksportit.
Përmirsimi i shpejtësisë së operimit gjatë kontrolleve, duke rritur sipërfaqen dhe koridorin e lëvizjes pranë skanerit; vendosja e afateve kohore limit lidhur me hyrjen e kamionëve në port; transferimi i makinave të bllokuara nga terminali i trageteve në një zonë më të përshtatshme; shfrytëzimi i territorit pranë hyrjes 4 nga Agjencitë Detare përbëjnë disa nga përfundimet e Takimit

Sirenat e traditës së ndërrimit të viteve, nga katër tragete dhe katër anije

Sirenat e anijeve dhe trageteve në portin e Durrësit do të vijojnë traditën, duke i dhënë gjallëri edhe qytetit bregdetar në ndërrimin e viteve.
Mesnata e ditës së fundit të vitit dhe fillimi i vitit të ri prej disa dekadash  përshëndeten nga sirenat e mjeteve lundruese të ankoruara në port.
Nga Qendra e Informacionit në APD mësohet se tragetet “AF Michela”, “AF Marina”, “Bari” dhe “Rigel III”, së bashku me personelin përkatës gjatë natës së Vitit të Ri, kanë konfirmuar qëndrimin në portin më të madh të vendit tonë.
Sirenave të trageteve në Terminalin e Udhëtarëve pritej t’u bashkoheshin edhe pesë anije tregtare, që parashikohej  të mbërrinin në 36 orët e ardhshme.
Anija “Thunder” me 2632 ton xhama, “NS Koralle” me 2206 ton grurë, “Ocean Glove” me 172 ton automjete dhe “Angela” me 60 kontejnerë, si dhe “Cement Courier”, që parashikohej të ngarkonin 3500 ton çimento, do të ankoroheshinn në të tre Terminalet e mallrave të portit, ku do të fillojnë edhe përpunimin

APD: Ceremonia e Ditës së Ujit të bekuar në ujrat pranë kalatës 5

Tre të rinj hidhen për Kryqin në ujrat pranë kalatës 5 të Portit të Durrësit.
27-vjeçari Alban Gjonmarkaj shpallet fitues, nën vështrimin e qindra besimtarëve ortodoksë, dhe jo vetëm, që morrën pjesë sot paradite në kremtimin e Ditës së Ujit të Bekuar.
Pas meshës në Kishën e Shën Pavlit dhe Shën Astit dhe nën kujdesin e Forcave të Sigurisë Portuale, në qendër të basenit portual u zhvillua edhe ceremonia e përvitshme e Ditës së Ujit të Bekuar.

Tragetet në katër ditë: 16 mijë udhëtarë  me 3.652 autovetura nga Durrësi drejt Barit dhe Ankonës

Nga të dhënat e Terminalit të Trageteve sot mësohet se 19 tragete me 15.997 udhëtarë dhe 3652 autovetura e kamjonë janë nisur nga Durrësi drejt Barit dhe Ankonës gjatë katër ditëve të fundit të javës së kaluar.
Që nga fillimi i këtij viti këto kanë qenë ditët me numrin më të madh të udhëtarëve, një pjesë e të cilëve kishin mbërritur në atdhe dy javë më parë për të kaluar festat e fundvitit pranë familjeve.
Sipas Qendrës së Informacionit në APD, ditën e premte nga porti i Durrësit janë nisur 6 tragete, të enjten tre tragete, ndërsa në dy ditët e fundjavës numri ditor i trageteve ka arritur në 5.
Gjatë kësaj kohe janë programuar edhe disa lundrime shtesë të trageteve për të përballuar lëvizjet e udhëtarëve dhe automjeteve drejt porteve të Italisë.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar në portin e Durrësit mbërritën 43.451 udhëtarë me 10.655 autovetura gjithsej.

Nga kalata 1-10, 2018 nis me 6 anije në përpunim

Tragetet e linjës Bari – Durrës mbërrijnë sipas grafikut. Në kalatat e portit të Durësit në fund javën e parë u përpunuan 6 anije tregtare me mallra. Në fillimin e vitit 2018, katër prej tyre, me 8740 ton mallra gjithsej, si xhama, grurë, çimento dhe melaminë, kanë nisur shkarkimin në kalatat e Terminalit Perëndimor, i njohur si Terminali i Mallrave Gjenerale, TMGj.
Ndërkaq, në Terminalin e Kontejnerëve kishte filluar të përpunohet anija “Medkon Gemlik”, me 106 kontejnerë gjithsej.
Në Terminalin Lindor ngarkohet me 7 mijë ton çimento për eksport anija “Seaven Luck”. Kjo anije gjatë vitit 2017 është ngarkuar afro 20 herë me çimento “made in Albania”, me destinacion portet e Italisë dhe Maltës. Ndërkaq, dy tragetet e linjës Bari – Durrës ishin ankoruar në Terminalin përkatës, pra porti nis vitin në aktivitet të plotë.