Një treg modern i energjisë elektrike?

Një treg modern i energjisë elektrike?
3 Gazeta T&I Durrës Nr 16

Dy lajme të mira për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit elektroenergjetik shqiptar: a) programi dhe planet e qeverisë së re për investime të mëdha në këtë sector dhe b) vendimi i ERE për çmimin e blerjes së energjisë së prodhuar nga burimet fotovoltaike dhe ato oleoike.

Së pari, në detaje nga prezantimi në Kuvend i Ministrit të Energjitikës dhe Infrastrukturës, zoti Gjiknuri informohemi kryesisht që:

  • Në katër vitet e ardhshme do të investohen 170 milion Euro për forcimin e kapaciteteve gjeneruese dhe sigurinë e digave të administruara nga shoqëria  KESH sha.
  • Në transmetim do të realizohen 160 milion Euro investime ku ndër më kryesori është ai i ndërtimit të linjës së 400 kw mes Shqipërisë dhe Maqedonisë e cila mbyll ciklin e lidhjeve interkonektive me vendet fqinje. Pra Shqipëria do të ketë një rrjet të lidhur me Malin e Zi, Greqinë, Kosovën dhe Maqedoninë, gjë që do të krijojë premisat e nevojshme që të eksportohet teprica e mundshme edhe nga rritja e prodhimit të energjisë në Shqipëri.
  • Qeveria do të vijojë me procesin e ndarjes së funksioneve të  shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë në OSHEE duke krijuar dy shoqëri më vete, me synim  përmirësimin e  shërbimeve dhe furnizimit për qytetarët dhe kanalizimin e investimeve në shpërndarje.
  • Në sektorin e shpërndarjes pritet të realizohet një total investimesh prej rreth 520 milion Euro, pjesa dërrmuese të cilave me fondet e vetë kompanisë. Pjesë e kësaj pakete  investimesh do të jenë edhe projektet me Bankën Botërore, Bankën gjermane KfW për sistemin Skada dhe leximin e matësave Smart
  • Në vitin 2021, Shqipëria do të ketë edhe 300 mega të tjerë të instaluar dhe këto nga investime të huaja dhe të vendit. Shumë shpejt do të përfundojë edhe procedura për Kalivaçin.
  • Shqipëria, përveç prodhimit të saj hidro, do të ketë edhe prodhimin nga energjia diellore dhe era. Së bashku me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim do të ngrihet impianti i madh fotovoltaik me të paktën 30 megavat, i cili do të integrohet me rrjetin energjetik shqiptar. Në planin kombëtar dhe që është i financueshëm, sepse ka një tarifë të rregulluar, parashikohen edhe 30 megavat me erë
  • Reduktimi me 6.8% i konsumit të energjisë dhe të ardhurat e pritshme për ekonominë kombëtare nga kursimi i energjisë (si trade off) do të jenë rreth 110 milionë Euro.

Nga pikpamja e Dhomës, krahas shifrave optimiste për investimet mbetet lajm i rëndësishëm ndarja përfundimtare e OSHEE në dy pjesë, OSSH dhe FSHU siç përcakton edhe ligji 43/215 i dy viteve më parë. Kështu, së paku të gjithë konsumatorët energjisë elektrike do ta kenë të qartë pse fatura e lëshuar nga FSHU kushton po aq sa vetë produkti energji! Njëkohësisht, besojmë se do të bëhet shumë e qartë që kërkesa e vazhdueshme e Dhomës për uljen e çmimit të energjisë elektrike është fare e drejtë!

Por, më e rëndësishme për Dhomën mbetet pyetja pa përgjigje nga prezantimi i Ministrit: A do të krijohet edhe në Shqipëri një treg bashkëkohor i energjisë elektrike? Pengesa kryesore për ngritjen e këtij tregu është monopoli i plotë i sotëm i OSHEE në shpërndarjen e energjisë elektrike. Eliminimi i këtij monopoli kërkon një ligj të ngjashëm me atë në Itali, i cili ndalon që një operator i sistemit të zotërojë më shumë se 51% të tregut. A do të kemi guximin të hyjmë në këtë rrugë? (sot Italia ka jo më pak se 6 operatorë në shpërndarjen e energjisë).

Lajmi i dytë i mirë eshtë sigurisht një vendim i fundit i ERE që përcakton akses të plotë në rrjet dhe blerjen e energjisë nga burimet fotovoltaike me çmim 13 Lekë/kwh, si dhe nga ato oleoike me 9 Lekë/kwh. Më në fund kemi kuptuar se dielli dhe era janë gratis përgjithmonë dhe ja vlen të mbështetet prodhimi i energjisë nga këto dy burime të rinovueshme dhe krejt miqësore me ambientin!